Interesimi i vizitorëve për Muzeun Historik të Shkodrës ka ardhur gjithnjë në rritje, dhe një pjesë e këtij suksesi lidhet me përdorimin e platformave të inteligjencës artificiale. Drejtuesja e muzeut, Majlinda Laçaj thekson se këto platforma e kanë bërë më të lehtë për turistët të gjejnë informacione, t’i planifikojnë vizitat e tyre dhe të njihen me historinë e qytetit përpara se të mbërrijnë në Shkodër.

Ndërkohë, eksperti i mjedisit Ervis Krymbi shpjegon se AI po përdoret edhe në sistemet e monitorimit të mjedisit, ku është i përfshirë edhe vendi ynë. Kjo teknologji lejon mbledhjen dhe analizimin në kohë reale të të dhënave duke ofruar mundësinë për ndërhyrje më të shpejta dhe më efektive për mbrojtjen e natyrës.

Përfshirja e inteligjencës artificiale si në kulturë ashtu edhe në mbrojtjen e mjedisit shihet si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve dhe rritjes së ndërgjegjësimit publik. Ekspertët thonë se ky është vetëm fillimi dhe se përdorimi i saj do të zgjerohet edhe në fusha të tjera, duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shkodrës.