Skuadra e Vllaznisë po përgatitet intensivisht për sfidën e 29 shtatorit ndaj Besëlidhjes, e vlefshme për Superkupën e Shqipërisë në basketboll për meshkuj. Kuqeblutë po stërviten në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” nën drejtimin e trajnerit Eni Llazani, i cili shprehet se përgatitjet po ecin sipas planit.
Llazani theksoi se për shkak të gjendjes ekonomike të klubit, këtë sezon nuk do të ketë objektiva madhorë, por fokusi do të jetë përmirësimi gradual i skuadrës dhe aktivizimi i elementëve të rinj.
Dueli i Superkupës mes Besëlidhjes dhe Vllaznisë shihet si testi i parë serioz për kuqeblutë përpara nisjes së kampionatit, dhe një mundësi për t’i dhuruar tifozëve shkodranë një trofe që do të rriste moralin e ekipit në këtë fillimsezoni.
