Në Bajzë të Malësisë së Madhe, u zhvillua aktiviteti kulturor “Takimi i Lahutarëve Shqipfolës”, që për të dytin vit radhazi solli në skenë lahutarë nga të gjitha trojet ku flitet shqip. Ata risollën tingujt e epikës shqiptare dhe figurat e mëdha të historisë, duke përcjellë mesazhin se ruajtja e lahutës do të thotë ruajtje e shpirtit kombëtar.
Zëvendëskryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe tha se ky aktivitet është një thirrje për brezat e rinj që të mos e lënë në harresë këtë instrument të lashtë dhe traditën e këngës epike.
Ky takim kulturor u shndërrua në një mbrëmje emocionuese, ku publiku u përfshi në atmosferën e odave të dikurshme, duke përjetuar nga afër vargjet epike dhe jehonën e lahutës, si një kujtesë e gjallë e rrënjëve dhe identitetit tonë kombëtar.
