Velipoja po përballet me një nga kërcënimet më serioze mjedisore të viteve të fundit: avancimin e detit drejt tokës. Ky fenomen, i njohur si transgresion detar, është më i dukshëm pranë deltës së Bunës dhe po rrezikon çdo vit gjithnjë e më shumë sipërfaqe plazhi.

Sipas ekspertëve, në disa zona deti ka avancuar deri në pesë metra në vit, duke zhdukur sipërfaqe të tëra rëre dhe duke afruar ujërat e detit pranë rezervatit natyror e për rrjedhojë duke sjellë pasoja. “Duhet ndërhyrë me masa emergjente”, shprehet eksperti i mjedisit, Ervis Krymbi.

Velipoja mbetet një nga zonat më të ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike dhe çdo vonesë do të thotë humbje e mëtejshme toke duke rrezikuar potencialin turistik të saj. Pak kohë më parë ky fenomen mori vëmendje edhe nga Radiotelevizioni publik turk. Thirrja e ekspertëve shkon në drejtim të institucioneve që të veprojnë sa më shpejt për të mbrojtur këtë pasuri natyrore të Shkodrës.