Teatri “Migjeni” i Shkodrës mirëpriti mbrëmjen e së shtunës premierën e shfaqjes së humorit “Pikante”, nën kujdesin e Bashkisë Shkodër dhe produksionit “Sandri Company”. Mjeshtri i Madh Sandër Ruçi, autor dhe regjisor i shfaqjes, solli një atmosferë plot humor, situata pikante dhe batuta që mbajtën publikun të mbërthyer nga të qeshurat pafund.
Spektaklit i dhanë jetë këngëtarë me përvojë dhe të rinj të talentuar duke ndërthurur në këtë mënyrë numrat e humorit me interpretimet muzikore.
Pas shfaqjes, Sandër Ruçi ndau emocionet e tij me publikun, duke falënderuar ekipin e aktorëve dhe artdashësit që mbushën sallën. Aktorja Drande Xhaj dhe prezantuesja Uarda Albunesa shprehën gjithashtu kënaqësinë për pjesëmarrjen duke e cilësuar premierën si një përvojë të veçantë artistike.
Publiku e shoqëroi premierën me duartrokitje të gjata, duke e kthyer këtë mbrëmje në një festë arti dhe argëtimi për qytetin. Shfaqja “Pikante” do të vijojë edhe të dielën, më 21 shtator, në skenën e Teatrit “Migjeni”.
