Në fundjavë u zhvillua për herë të parë “Dita e Hapur e Padel Board” në brigjet e Liqenit të Shkodrës, një nismë e Bashkisë Shkodër, në bashkëpunim me “Drini Times” dhe Qendrën e Sporteve Ujore. Aktiviteti kishte për qëllim të afronte fëmijët dhe të rinjtë me bukuritë e liqenit, duke i njohur me një sport të ri e një mënyrë ndryshe për ta eksploruar atë.
Pjesëmarrësit u përfshinë me entuziazëm në këtë aventurë sportive, ku përveç argëtimit, mësuan teknikat bazë të lëvizjes me padel board dhe rëndësinë e sigurisë në ujë.
“Ky është vetëm një hap i parë drejt krijimit të një tradite aktivitetesh të tilla që jo vetëm promovojnë sportin, por edhe ndërgjegjësojnë qytetarët për vlerën e ruajtjes dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të liqenit”, u shpreh Drini Xhafa.
Organizatorët theksuan se interesi i vizitorëve për të eksploruar liqenin po rritet gjithnjë e më shumë, veçanërisht nga turistët e huaj, çka e bën edhe më të rëndësishëm zhvillimin e sporteve ujore dhe promovimin e turizmit aktiv në Shkodër.
