Në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, këtë të premtë në Muzeun Historik të Shkodrës u çel ekspozita fotografike “Nga rrënoja në përjetësi, restaurimi i Muzeut si testament i kujtesës”, një rrëfim i rrallë vizual mbi procesin e restaurimit të godinës në vitet ’80.

Arkitekti Zef Çuni, nën kujdesin e të cilit u realizua restaurimi, thotë se ngjarje të tilla shërbejnë si një reflektim për të respektuar trashëgiminë kulturore.

Fotot e ekspozuara paraqesin transformimin e muzeut nga rrënojat e dikurshme në një objekt muzeal që ruan kujtesën historike të qytetit. Disa nga ish-kontributorët dhe mjeshtrit e kohës ndajnë detaje nga procesi restaurues i Muzeut Historik.

Ekspozita u organizua nga Muzeu Historik i Shkodrës, me mbështetjen e Rotary Club Shkodra, si një thirrje për të vazhduar kujdesin ndaj monumenteve të kulturës dhe për t’i përcjellë ato te brezat e rinj.