“Këngën shkodrane duhet ta duam e ta ruajmë…”
Ky ishte mesazhi i fundit i Agim Mollës, i njohur si “Mohikani i fundit” i ahengut shkodran, dhënë një vit më parë për RTSH Shkodra. Sot, kjo porosi tingëllon si testament për qytetin dhe trashëgiminë e tij shpirtërore.
Me një repertor prej mbi 350 këngësh, Agim Molla ishte simbol i gjallë i ahengut dhe pjesë e pandarë e jetës kulturore të Shkodrës për më shumë se 45 vite. Zëri i tij kumbues dhe interpretimi i veçantë e bënë hallkën që lidhi brezat me traditën e këngës së vjetër shkodrane.
Në intervistën e tij të fundit, ai shprehej me dhimbje se “dasma shkodrane nuk është më ajo e dikurshmja”, por deri në ditët e fundit të jetës mbeti i përkushtuar për ta mbajtur gjallë këtë trashëgimi.
“U shua simboli i ahengut shkodran! Me interpretimin e tij të veçantë, Agim Molla u bë pjesë e gëzimeve të shumë familjeve shkodrane, duke mbetur në kujtesë si ashiku i muzikës sonë tradicionale.” ishte mesazhi ngushëllues që ndau në rrjetet sociale kryebashkiaku Benet Beci për artistin e ndjerë.
Ceremonia mortore me homazhet e rastit do të mbahen të premten në hollin e Teatrit “Migjeni”, ku qytetarët do të kenë mundësinë t’i japin lamtumirën e fundit nga ora 10:00 deri në 13:00. Më pas kortezhi do të përcillet për në varrezat e qytetit.
Figura e Agim Mollës do të mbetet e skalitur në kujtesën e qytetit për zërin, pasionin dhe dashurinë me të cilën mbrojti e përcolli këngën shkodrane tek brezat e ardhshëm.
