Bashkia Shkodër po vijon aksionin për lirimin e hapësirave publike, këtë herë në lagjen “Skënderbeg”. Ndërhyrja është fokusuar pranë blloqeve të pallateve të ish-të përndjekurve, pas ankesave të banorëve për zënien e hapësirave të përbashkëta.

Sipas Drejtorit të Policisë Bashkiake, Saimir Rrustemi, kjo është faza e dytë e aksionit, pas lirimit të rrugëve kryesore të qytetit. Në këtë fazë po ndërhyhet në hapësirat e brendshme të lagjeve me qëllim rikthimin e sipërfaqeve publike në funksion të komunitetit.

Të dhënat e Bashkisë Shkodër tregojnë se ky është blloku i katërt i pallateve ku është zhvilluar ndërhyrja. Aksioni do të vijojë edhe në zona të tjera të qytetit, ku janë evidentuar zaptime të sipërfaqeve publike, me qëllim kthimin e tyre në shërbim të qytetarëve.