Ajo na çeli dyert e shtëpisë së saj në Shkodër, aty ku edhe sot e kësaj dite vijon të pikturojë dhe të ruajë lidhjen e pandarë me artin. Liljana Çefa, piktorja që ka lënë gjurmë të thella në jetën artistike të Shkodrës, rrëfen për RTSH fillimet e saj në këtë art me të cilin bashkëjeton prej një jete.
Për dekada punoi si mësuese vizatimi duke formuar breza të rinjsh. Por bashkë me suksesin profesional, Liljana Çefa rrëfen se sfidat familjare dhe përkujdesja për fëmijët shpesh e vendosnin përballë sakrificave të mëdha.
Sot, në moshën 85-vjeçare, ajo mbetet e lidhur ngushtë me telajon dhe përcjell një mesazh të fuqishëm për të rinjtë që duan t’i futen botës së artit.
Përmes jetës dhe krijimtarisë së saj, Liljana Çefa mbetet ende sot një shembull frymëzues për Shkodrën.
Jeta dhe veprimtaria
Liljana Çefa është piktore dhe mësuese, e lindur në Tiranë. Ajo përfundoi Liceun Artistik në vitin 1960 dhe më pas Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1966, në degën e pikturës. Menjëherë pas studimeve nisi punën si mësuese vizatimi në disa shkolla të qytetit të Shkodrës, duke edukuar breza të tërë nxënësish me dashurinë për artin.
Krijimtaria e saj përfshin dy periudha kryesore: nga viti 1962 deri në vitin 1990 dhe periudha pas viteve ’90, kur temat e saj u bënë më të lira, me dominim të motiveve fetare. Në periudhën e parë, Çefa realizoi rreth 70 punime me tematikë të larmishme, që përfshijnë portrete si “Portret gruaje”, “Aksionistja”, “Të rejat kooperativiste”, peizazhe si “Bahçalleku”, “Lugina e Thethit”, si edhe punime kushtuar fëmijëve si “Fatosja” dhe “Nxënësja ime”.
Në mars të vitit 1968, ajo hapi ekspozitën e saj të parë vetjake në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër me 40 punime. Çefa ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare dhe kolektive në Shkodër dhe Tiranë deri në vitin 1990, ndërsa pas këtij viti ka vazhduar të krijojë dhe të ekspozojë brenda dhe jashtë vendit.
Ajo ka përfaqësuar pikturën shqiptare në Francë, Itali, Turqi, Kinë, Egjipt dhe disa vende të rajonit, duke u nderuar me medalje dhe çmime prestigjioze, si medalja në Bienalen e Aleksandrisë (1984) dhe çmimi i parë në konkursin e Romës me pikturën “Me dritën e Zotit”. Për kontributin e saj në art dhe kulturë, është vlerësuar me medaljen “Naim Frashëri” dhe me titullin “Krenaria e qytetit” nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës (2000).
Liljana Çefa mbetet një figurë e respektuar në artin pamor dhe një shembull frymëzimi për artistët e rinj.
