Sezoni turistik veror solli një rritje të udhëtimeve nga shkodranët, por edhe një fluks të madh turistësh të huaj që zgjodhën Shqipërinë si destinacion pushimi. Sipas tur-operatores Lida Haxhija, kërkesa më e madhe ka qenë për pushime brenda vendit.
Një nga paketat dominuese ishte ajo e rivierës së jugut por nuk kanë mbetur pas Lumi i Shalës dhe destinacione të tjera natyrore në veri të vendit.
Një tjetër trend i verës ishte interesi i lartë i turistëve të huaj për paketën turistike të Alpeve, ku përfshihet shtegu i njohur Theth–Valbonë, një nga atraksionet më të kërkuara të turizmit malor. Grupet nga Izraeli përbënë një pjesë të konsiderueshme nga radhët e të huajve.
Tur-operatorët parashikojnë që edhe gjatë vjeshtës të vijojë kërkesa për ture të ngjashme, duke e shndërruar Shqipërinë në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për pushuesit.
