Në prag të vitit të ri akademik, Shkodrës i është shtuar një shërbim i ri i rëndësishëm për komunitetin, Mensa e Qytetit. Ky është një investim i Bashkisë Shkodër që rikthen pas shumë vitesh këtë shërbim, tashmë me kushte moderne dhe me një koncept më gjithëpërfshirës, i hapur jo vetëm për studentët, por për të gjithë qytetarët.
Në ceremoninë e inaugurimit, të zhvilluar pranë Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve, mori pjesë kryebashkiaku Benet Beci, i cili kujtoi premtimin e dhënë një vit më parë për realizimin e kësaj mense dhe theksoi rëndësinë e saj për mirëqenien e qytetit.
“Kjo hapësirë e re ofron standarde të plota higjieno–sanitare dhe vjen si një alternativë e munguar prej vitesh. Është një model që i shërben si studentëve, ashtu edhe çdo banori të qytetit tonë”, u shpreh kryebashkiaku Beci.
Mensa e re është rikonstruktuar dhe pajisur me standardet bashkëkohore, duke ofruar një ambient të pastër dhe të aksesueshëm. Një element i rëndësishëm është fakti se ky investim është bërë i mundur me të ardhurat e vetë Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve, duke e kthyer në një shembull të funksionimit të qëndrueshëm të shërbimeve publike.
