Galeria e Arteve Shkodër dhe Bashkia Shkodër kanë njoftuar përmes faqes zyrtare të Galerisë në rrjetet sociale hapjen e edicionit të 19-të të “Sallonit të Vjeshtës”. Tema e këtij viti është “Midis linjave dhe ngjyrave” (In between lines and colours), një ftesë për artistët që të sjellin punime ku ngjyra dhe forma dialogojnë me kujtesën e qytetit.

Koncepti kuratorial i arkitektit Ols Plasa thekson se “Qyteti lëviz në kohë dhe formë, por në tablonë e piktorit ngjyra dhe godinat qëndrojnë si dëshmi e kujtesës, duke ftuar publikun në një festë përjetësie me qytetin”.

Afati i dorëzimit të punimeve është data 10 nëntor 2025 në Galerinë FAB në Tiranë. Galeria njofton se nuk merr përsipër grumbullimin e punimeve jashtë pikës së përcaktuar.

Ky edicion pritet të kthehet në një udhëtim mes të shkuarës, të tashmes dhe qëndresës së përjetshme artistike, duke i dhënë Shkodrës një tjetër festë arti dhe reflektimi.

Njoftimi i plotë

🟠Salloni I Vjeshtes 2025🍂
🟡Edc I XIX

Galeria e Arteve Shkodër
Bashkia Shkodër

Prezanton temen e këtij viti
▶️Midis linjave dhe ngjyrave🎆

♥️In between lines and colours

Qyteti lëviz në kohë dhe formë, por në tablonë e piktorit, ngjyra dhe godinat shfaqen të zhveshura nga koha dhe fati i transformimeve. Ato qëndrojnë statike si për të rrëfyer ndërmjet tyre prezencën që nuk ndryshon, një kujtesë që rrëfen. Koha leviz gjithçka dhe për këdo ndërsa per artistin ajo paraqitet si nje rrugetim koloresh që të fton në një festë përjetësie me qytetin. Çdo ngjyrë është një rrëfim, çdo linjë një histori, çdo formë një kujtesë. Midis ngjyrave dhe linjave është “heshtja” që përjetëson me fjalët e ngjyrave shpirtin e godinave. Një rrugëtim midis të shkuarës, të tashmes dhe qëndresës artistike pa kohë.

Kurator Ark.Ols Plasa🎢🏗

🚨Dorezimi I punimeve deri me
🧭Dt 10 nentor 2025

🟠 VO
Galeria nuk merr persiper grumbullimin e punimeve jashte pikes se percaktuar Galeria FAB Tirane

Olsi Plasa, kuratori i këtij edicioni

Arkitektura për të nuk është vetëm profesion, por gjuhë me të cilën ai rrëfen histori, kujtesë dhe identitet. Prej më shumë se një çerek shekulli, ai ka gdhendur hapësira, ka rikthyer jetë në monumente të harruara dhe ka ndërtuar ura mes së shkuarës dhe së ardhmes.

I diplomuar në vitin 1998 në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit – Departamenti i Arkitekturës, ai e nisi rrugëtimin e tij në fushën e Dizajnit Urban duke i dhënë formë qytetit bashkëkohor. Më vonë, në vitin 2019, kurorëzoi pasionin e tij për trashëgiminë me Masterin në Restaurimin e Monumenteve të Kulturës, duke e kthyer vështrimin nga rrënjët dhe historia.

Nga viti 2019 deri në vitin 2024, si Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Tiranë, ai u bë pjesë e vendimeve të mëdha për trashëgiminë e qytetit, duke udhëhequr projekte ku teknika bashkohej me shpirtin kulturor. Sot, në rolin e Drejtuesit Teknik pranë “Arkonstudio”, ai vijon të krijojë, të udhëheqë dhe të ndërtojë vizione urbane që mbartin frymën e kohës.

Me mbi 100 projekte të realizuara nga projektimi arkitektonik te planifikimi urban, nga restaurimi i trashëgimisë deri te mbikëqyrja e veprave publike, puna e tij përshkohet nga një besim i thellë se hapësirat që ndërtojmë janë pasqyra e shpirtit tonë kolektiv.

Si pedagog i jashtëm i Dizajnit Arkitektonik në FAU dhe në universitete të tjera, ai ka mbi 13 vite përvojë në mësimdhënie, duke i ftuar studentët të shohin arkitekturën jo vetëm si shkencë, por si art që prek jetën e përditshme.
Jashtë auditorëve dhe projekteve, ai është një hulumtues dhe koleksionues i trashëgimisë kulturore dhe artit shqiptar, duke i mbledhur me pasion dëshmitë e historisë sonë materiale e shpirtërore. Për të, çdo gur, çdo fasadë dhe çdo objekt mbart një histori që pret të rrëfehet.