Shkodra ka qenë përherë një qytet që ka nxjerrë talente të mëdha në pikturë e skulpturë, duke lënë gjurmë në historinë e arteve pamore shqiptare. Galeria e Arteve, atelietë e para të qytetit dhe ekspozitat e shumta janë dëshmi e kësaj tradite të pasur.
Një vend të veçantë zë edhe piktori i shquar Jakup Keraj. I shkolluar në Akademinë e Arteve të Bukura në Leningrad me rezultate të shkëlqyera, Keraj spikati për krijimtarinë e tij të pasur, për mjeshtërinë e penelit dhe për kompozimet plot forcë shprehëse e kolorit.
Përveçse një mësues i përkushtuar, Jakup Keraj ishte edhe një mik i rrallë, i dashur dhe i sinqertë, që ruante marrëdhënie të ngrohta me kolegët dhe shokët e tij.
Jeta e shkurtër e Jakup Kerajt nuk e ndaloi atë të linte gjurmë të thella në artet figurative shqiptare. Sot, në përvjetorin e lindjes së tij, kujtojmë një artist që do të mbetet ndër më të spikaturit e Shkodrës dhe Shqipërisë.
Jeta dhe veprimtaria
Jakup Keraj ishte “Piktor i Merituar”. Ai u shkollua për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Leningrad (Petërburg), madje me rezultate të shkëlqyera. Keraj ishte një prej piktorëve më të talentuar të Shkodrës, me një krijimtari të pasur e me realizime nivelesh të larta artistike.
Nga ky artist kemi prurje plot talent, energji, mjeshtëri e virtuozitet. Për mjaft punime të piktorit mund të thuhet se arti i tij nuk ishte i drejtuar nga propaganda. Ndonëse në kushtet e një dhune e kushtëzimi të metodës artistike të kohës që padyshim nuk mund të thuhet se nuk kishte ndikimin e vet, në krijimtarinë e Kerajt dallohet shpesh edhe një lirshmëri krijuese artistike.
Pikturat e Jakup Kerajt prezantojnë një artist me aftësi të jashtëzakonshme në strukturën e kompozimit e në mjeshtërinë e realizimit. Peneli i tij ka forcë të madhe shprehëse, sa përmbajtësore aq edhe artistike ku shquhet aspekti konceptual, strukturor e koloristik. Ai nuk shquhej vetëm në pikturë por edhe në gjininë e kompozicionit.
Jeta relativisht e shkurtër e piktorit nuk i lejoi atij që pas viteve 1990 të shprehte edhe më tej ngarkesat e mëdha të vlerave artistike që ndrynte në vetvete, si një artist i veçantë. Jakup Keraj ishte pjesëmarrës në shumë ekspozita lokale e kombëtare pikture me vepra që zgjonin gjithnjë interesin e kritikës.
Disa nga veprat e Kerajt janë pronë e Galerisë së Arteve Shkodër dhe asaj Kombëtare në Tiranë. Jakup Keraj ishte fitues i disa çmimeve prestigjoze për vepra dhe ekspozita. Keraj do të mbetet ndër artistët më të shquar në artet figurative shkodrane e shqiptare.
