Ish-reparti i FNSH-së në Shkodër është çliruar plotësisht nga mjetet dhe tonelatat e hekurishtes që kishin mbetur aty prej më shumë se 30 vitesh. Me këtë hap, Bashkia Shkodër dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit i hapin rrugë investimit për transformimin e kësaj zone në një kënd të ri lojërash për fëmijë dhe hapësirë rekreacioni për qytetarët.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Risena Xhaja, inspektuan nga afër zonën pas pastrimit. Xhaja e cilësoi lirimin e hapësirës si një proces të rëndësishëm për vënien në funksion të saj për publikun, ndërsa Beci u shpreh se ky është një hap i madh drejt krijimit të parkut më të madh të lojërave në qytet.

Në total janë 3 hektarë hapësirë publike që do t’u dedikohen fëmijëve dhe prindërve, duke i dhënë Shkodrës një zonë të re rekreative moderne. Projekti tashmë është përfunduar në fazën e projektimit dhe pritet vetëm nisja e punimeve.