Shkodra, qyteti i traditave të lashta kulturore e sportive, ka hapur këtë fundjavë një kapitull të ri në historinë e saj moderne, duke organizuar për herë të parë “Maratonën e Shkodrës”. Në sheshin para Bashkisë dhe në rrugët kryesore të qytetit u krijua një atmosferë e jashtëzakonshme, ku energjia, gara e shëndetshme dhe fryma e bashkimit i dhanë jetë një dite që u shënua si një festë e madhe qytetare.

Ky aktivitet sportiv, i cili këtë vit përkon me titullin “Shkodra – Qyteti Europian i Sportit”, mblodhi mbi 300 pjesëmarrës nga Shqipëria dhe rajoni, të ndarë në tre kategori të ndryshme, nga fëmijët e vegjël e deri tek sportistët profesionistë dhe amatorët.

Kryetrajneri i Shoqatës së Atletikës “Vllaznia”, Albert Marashi, e vlerësoi maratonën si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e atletikës dhe për afrimin e të rinjve me këtë sport.

“Ky është një fillim premtues që shpresojmë ta kthejmë në traditë dhe ta zgjerojmë edhe më shumë vitet e ardhshme. Shkodra ka potencial dhe këtë e tregoi sot me këtë pjesëmarrje të madhe”, shprehet ai.

Nga ana e tij, Auron Miloti, Drejtor i Sportit në Bashkinë Shkodër, theksoi mbështetjen institucionale për ta bërë këtë ngjarje një pikë referimi për qytetin.

“Synimi ynë është që Maratona e Shkodrës të bëhet pjesë e kalendarit të përvitshëm sportiv dhe të rrisim numrin e pjesëmarrësve, duke e kthyer qytetin në epiqendër të aktiviteteve të mëdha”, thotë Miloti.

Ngjarja u bë e mundur falë bashkëpunimit mes Bashkisë Shkodër, Shoqatës së Atletikës “Vllaznia” dhe Federatës Shqiptare të Atletikës. Atmosferën e bënë edhe më të veçantë me praninë e tyre kampionia e Europës në 3000 m me pengesa Luiza Gega dhe sprinteri shkodran Franko Burraj, të cilët u cilësuan si shembull frymëzimi për brezat e rinj. Për fituesit e garës 10 km, Bledar Mesi dhe Redia Dauti, ky ishte një moment krenarie.

Kjo maratonë e parë, përveçse gjallëroi rrugët e Shkodrës, shënoi fillimin e një tradite të re që pritet të rritet vit pas viti, duke e forcuar edhe më shumë identitetin e qytetit si një qendër të sportit dhe kulturës shqiptare.