Në hollin e RTSH Shkodra u çel ekspozita “Homeward”, e cila shënon 10-vjetorin e krijimit të “Art House”. Kjo ekspozitë erdhi e konceptuar si një udhëtim simbolik drejt “shtëpisë”, ku identitetet dhe kujtimet lidhen me përkatësinë dhe marrëdhëniet mes njerëzve e hapësirave.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ideatori, Adrian Paci, theksoi se “Art House” ka shërbyer si një hapësirë e lirë për reflektim dhe dialog artistik, duke krijuar një komunitet të gjallë ku arti dhe shoqëria takohen.

Një mirënjohje të veçantë Paci e kishte për RTSH. Për rëndësinë e kësaj ngjarjeje folën edhe disa nga artistët themelues.
Ekspozita “Homeward” shtrihet edhe në mjedise të tjera si: “Art House”, Muzeu i Fotografisë “Marubi” dhe Galeria e Arteve, duke e kthyer qytetin në një itinerar artistik. Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun një muaj, duke ofruar mundësinë për të parë punime të 33 artistëve shqiptarë e ndërkombëtarë.
