Në zemër të Shkodrës ndodhet “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, i pari muze në vendin tonë, që ruan kujtimet e periudhës së përndjekjes komuniste. Dikur ndërtesë e Sigurimit të Shtetit, sot është kthyer në hapësirë muzeale ku vizitorët mund të shohin qelitë origjinale të paraburgimit, dhomën e torturave dhe një koleksion të çmuar me objekte e dokumente të kohës.

Vizitorët e këtij muzeu vijnë si individualisht, ashtu edhe në grupe. Një pjesë e tyre janë të huaj që shprehin interes për të kuptuar nga afër historinë e periudhës së errët në Shqipëri.

E veçantë është edhe historia e një çifti nga Hollanda që u rikthyen në Shkodër pas më shumë se 40 vitesh.

Ky muze mbetet një nga destinacionet më të veçanta të qytetit dhe një vend i domosdoshëm për këdo që dëshiron të njohë historinë e dhimbshme, por edhe forcën e qëndresës së shqiptarëve në diktaturë.