Vllaznia e vajzave e ka nisur me këmbë të mbarë aventurën e saj në “Europa Cup”, turneun e krijuar së fundmi për klubet nga UEFA. Në stadiumin “Loro Boriçi”, vajzat shkodrane triumfuan 2-0 ndaj skuadrës ukrainase Kolos Kovalivka, duke hedhur një hap të madh drejt kualifikimit.
Protagoniste absolute e takimit ishte Megi Doçi, e cila zhbllokoi shifrat në minutën e 14-të me një goditje nga e majta dhe më pas detyroi mbrojtësen Solomakha të devijonte topin në portën e saj pas një goditjeje dënimi në fundin e pjesës së parë. Megjithë përpjekjet e skuadrës kundërshtare, rezultati 2-0 mbeti i pandryshuar deri në fundin e ndeshjes.
Golashënuesja kryesore e Vllaznisë, Megi Doçi thotë se përforcimet e reja duan kohën e tyre për t’u përshtatur me skuadrën. Kjo fitore me dy gola diferencë i jep Vllaznisë një avantazh të rëndësishëm për sfidën e kthimit, ku synon të vulosë kualifikimin për në turin pasardhës.
