Vllaznia do të përballet këtë të shtunë me Partizanin, ndeshje e vlefshme për llogari të javës së tretë të Kategorisë Superiore. Ndeshja do të luhet në orën 19:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Kuqeblutë vijnë në këtë përballje pas humbjes në transfertë me Dinamon dhe synojnë të rikthehen tek fitorja.
I pranishëm në konferencën e pragsfidës me të kuqtë ishte Melos Bajrami. “Ndërprerja e kampionatit për shkak të kombëtares i ka shërbyer për mirë ekipit”, u shpreh mbrojtësi i kuqebluve. Bajrami u ndal edhe tek përshtatja e prurjeve të reja me lojën e ekipit.
Krahas kryendeshjes Vllaznia-Partizani, java e tretë e kampionatit rezervon edhe sfidat: Bylis-Egnatia, Tirana-Flamurtari, Elbasani-Dinamo dhe Teuta-Vora.
