Në komunën shqiptare të Tuzit në Malin e Zi po mbahet edicioni i 6-të i Panairit të Librit, me pjesëmarrjen e 38 Shtëpive Botuese nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi etj. Librat e ekspozuar në stendat e instaluara në sheshin qendror “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ofrojnë një gamë të larmishme tematikash duke tërhequr vizitorë dhe lexues.

“Si në shtëpinë e vet”, është ndjesia me të cilën po e përjeton pjesëmarrjen në panair, botuesi nga Çamëria, Arben Kondi. Gjithpërfshirja e trevave shqiptare e bën të veçantë Panairin e Librit në Tuz. Poeti nga Shkupi, Ahmet Selmani shpreh vlerësimin më të lartë për organizimin e këtij eventi.

Programi i këtij edicioni përfshin lexime për të rritur dhe fëmijë, biseda me autorë, promovime librash si dhe diskutime kulturore mbi rolin e librit dhe letërsisë në shoqërinë bashkëkohore. Panairi i Librit do të zgjasë deri më 12 shtator.