Këtë të shtunë, Shkodra do të mirëpresë ekspozitën “Homeward”, një projekt i Fondacionit “Art House” që shënon edhe 10-vjetorin e krijimit të tij. Aktivitetet do të zhvillohen në disa institucione kulturore të qytetit, duke e kthyer fundjavën në një festë arti dhe reflektimi.
Organizatorja Tea Paci, në një prononcim për RTSH, thekson se programi i përgatitur synon të sjellë një eksperiencë unike për publikun, duke përfshirë ekspozita të shpërndara në disa hapësira kulturore. Mjediset e RTSH Shkodra do të përbëjnë një nga hapësirat kryesore të ekspozitës.
Ekspozita do të çelet më 13 shtator në orën 18:00 dhe është e hapur për të gjithë dashamirësit e artit, duke sjellë në Shkodër një fundjavë plot ngjyra dhe kreativitet.
