Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në Ulqin do të organizojë nga data 11 deri më 13 shtator 2025 edicionin e 33-të të manifestimit letrar “Kalimera Poetike Basri Çapriqi”.
Ky edicion do të ketë një program të pasur, ku spikat mbrëmja letrare-homazh për shkrimtarin Ibrahim Berjashi, ish-kryetar i parë i “Art Club”-it dhe një nga themeluesit e “Kalimerës Poetike”, i cili u nda nga jeta në muajin mars të këtij viti. Po ashtu, do të zhvillohen dy mbrëmje autorësie kushtuar shkrimtarëve Besnik Mustafaj dhe Ilire Zajmi.
Në kuadër të aktivitetit do të hapet ekspozita/instalacioni “Ofshamë” (Shpella e lakuriqëve) i artistes Zake Prelvukaj, profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Prishtinë dhe anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, fituese e Çmimit Tradicional të “Art Club”-it në edicionin e kaluar.
“Kalimera Poetike” ka krijuar tashmë një identitet të veçantë letrar në Ulqin dhe në hapësirën shqiptare në Mal të Zi, duke e shënuar qytetin në hartën e festivaleve të rëndësishme të letërsisë. Përmes tij, synohet të promovohet jo vetëm letërsia, por edhe trashëgimia historike e kulturore dhe potenciali turistik i Ulqinit.
Manifestimi do të zhvillohet në tri hapësira kulturore të ndryshme: Muzeun e Ulqinit në Kala, Librarinë “Ulqini” dhe Muzeun Etnografik në Draginë.

Ky edicion, sipas organizatorëve, do të jetë një tjetër urë që lidh letërsinë me artin, trashëgiminë dhe turizmin kulturor në Ulqin.
