Në të gjitha shkollat e vendit nis sot viti i ri mësimor për 345 mijë nxënës, nga të cilët 26500  mijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Ky vit shkollor, sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit dhe Sportit vjen me risi dhe investime të rëndësishme në institucionet arsimore.

Sot në ditën e parë të vitit të ri shkollor 2025-2026 kanë hapur dyert 30 shkolla të reja nga veriu në jug. MAS për këtë vit shkollor ka shpërndarë libra falas për 236 mijë nxënës në të gjithë vendin. Janë rreth 9 milionë euro, të cilat u vunë në dispozicion për të garantuar që nxënësit të kenë librat shkollor falas nga klasa e parë në klasë të 9 dhe gjithashtu edhe për 16 kategori nxënësish, të cilët janë në gjimnaze.

Sipas MAS janë më shumë se 340 laboratorë smart në të cilët do të shtrihet kurrikula e teknologjisë dhe informacionit, përmes programit të kodimit codmonkey. Ky program këtë vit zgjerohet për klasën e katërt, për të gjithë nxënësit që janë pjesë e shkollave ku sot smartlab-et janë funksionalë.

Për këtë vit shkollor Ministria e Arsimit dhe Sportit me një udhëzim të veçantë ka përcaktuar rregullat dhe masat për ndalimin e përdorimit të telefonit celular dhe pajisjeve të ndërlidhura me të në institucionet arsimore parauniversitare.

Telefonat nuk duhet të merren në shkollë. Në rast të nevojës të argumentuar nga prindi, në drejtorinë e shkollës, që fëmijën ta pajisë me telefon, atëherë telefoni fiket, nxënësi e dorëzon sipas rregullit të shkollës në sirtarin apo kutinë e përcaktuar në klasë, nga momenti i nisjes së mësimit deri në përfundim të orarit mësimor.

Gjatë këtij viti mësimor janë të angazhuar 640 mësues kordinatorë, 2,260 mësues ndihmës për nxënësit me aftësi të veçanta me një rritje prej 150 më shumë se në vitin 2024. Transporti falas do të ofrohet për 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues.

MAS deklaron se janë akorduar 3,500 bursa për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje financiare. Ndër risitë e vitit të ri shkollor 2025-2026 janë edhe Konkursi Kombëtar i Teatrove për nxënësit e klasave të teta dhe të nënta; Festivali Kombëtar i Shkencës për gjimnazet, si dhe vijimi i Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të nënta.

Mesazhi i Arqipeshkëvit të Shkodër – Pult, Imzot Giovanni Peragine për nisjen e vitit të ri shkollor

ARQIPESHKËVIA METROPOLITANE
SHKODËR-PULT

Prot. N. 83/2025
Shkodër, 07.09.2025

Lënda: Mesazh drejtuar mësuesve dhe nxënësve me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025–2026.

Të dashur nxënës dhe mësues,

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, përcjell me gëzim urimet e mia më të përzemërta. Çdo vit i ri sjell me vete mundësi të reja: për nxënësit është një rrugëtim i ri drejt dijes dhe formimit personal, ndërsa për mësuesit është një mision i përtërirë për të mbjellë dritë në mendjen dhe zemrën e brezave të rinj.

Dija është një dhuratë e madhe nga Zoti, por edhe një përgjegjësi që na fton të jemi gjithnjë më të urtë, më të drejtë dhe më të hapur ndaj të tjerëve. Shkolla nuk është vetëm vend ku mësojmë lëndë të reja, por edhe hapësira ku ndërtojmë miqësi, ku kultivojmë vlera dhe ku rritemi si qytetarë të ndershëm dhe të përgjegjshëm.

Uroj që ky vit shkollor të jetë i mbushur me dritë, shpresë dhe gëzim. Zoti i bekoftë nxënësit në përpjekjet e tyre, mësuesit në misionin e tyre fisnik, dhe prindërit që janë gjithnjë mbështetje dhe udhëheqës të dashur.

Me dashuri atërore Ju bekoj të gjithëve,

✝️ Imzot Giovanni Peragine
Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult
President i Komisionit Kombëtar i Edukimit Katolik Shqiptarë