Prej pesë vitesh së bashku si bashkëshortë dhe të lidhur ngushtë me muzikën, Lumturije Nonaj dhe Gjovalin Mihaj ndajnë të njëjtin pasion: instrumentet popullore. Lumturija është ndër të paktat gra lahutare në vend, duke e bërë historinë e tyre edhe më të veçantë.

Gjatë bisedës, ata flasin për ndjesitë që sjell bashkëjetesa me artin dhe muzikën tradicionale, ku lahuta, çiftelia dhe instrumentet e tjera marrin jetë në duart e tyre. Çifti tregon gjithashtu për koncertet dhe eventet ku marrin pjesë, duke theksuar emocionet e skenës dhe rëndësinë e mbështetjes që i japin njëri-tjetrit përpara çdo daljeje publike.

Por përtej pasionit, Lumturija dhe Gjovalini ngrejnë edhe një apel: mbështetje më të madhe për artistët që i qëndrojnë besnikë traditës së instrumenteve popullore. Historia e këtij çifti është një shembull i bukur i bashkimit të dashurisë me artin dhe i forcës së ruajtjes së identitetit kulturor përmes muzikës.