Shiroka u shndërrua mbrëmjen e djeshme në një skenë të jashtëzakonshme arti, ku tenori me famë botërore Saimir Pirgu magjepsi publikun shkodran me një performancë brilante.

Nën drejtimin e maestros Elda Laro, Orkestra Simfonike e Shkodrës dhe kori i fëmijëve të Qendrës Kulturore “Kujtim Alija” krijuan një atmosferë unike, që u shoqërua me duartrokitje të pandërprera dhe ngritje në këmbë të spektatorëve. Prezantimi u realizua me finesë nga Ema Ndoja, e cila i dha mbrëmjes një notë të ngrohtë dhe elegante.

Në fjalën e tij, tenori Saimir Pirgu falënderoi publikun për energjinë e jashtëzakonshme, si dhe kryetarin e Bashkisë Shkodër Benet Beci dhe dirigjenten Elda Laro për ftesën. Nga ana e tij, kryebashkiaku Beci theksoi se Shkodra i meriton ngjarje të tilla madhështore dhe paralajmëroi projekte të tjera kulturore ambicioze për të ardhmen.

Artistja me përvojë Zana Çela, aktualisht Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, dhe kompozitori Zef Çoba, vlerësuan se Shiroka këtë mbrëmje ishte më e bukur se kurrë, duke i dhuruar publikut një natë të paharrueshme.

Mbrëmja u mbyll mes fishekzjarrësh, duke lënë pas emocione të forta e kujtime që do të mbeten gjatë në memorien e artdashësve shkodranë.