Ekspozita “Pazari i humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese” po i afrohet fundit, duke mbyllur një cikël prezantimesh që kanë rikthyer në vëmendje trashëgiminë tekstile të qytetit. Mes artistëve të përfshirë është edhe dizajneri i tekstileve Jozef Martini, i cili në bisedën e organizuar në Muzeun e Fotografisë “Marubi” ndau reflektime mbi misionin e tij krijues.

Martini thekson se në thelb të praktikës së tij qëndron dëshira për të përkthyer kulturën tradicionale shkodrane në një gjuhë vizuale bashkëkohore. Ai kujtoi traditën mbi 100-vjeçare të Shkodrës në përpunimin e tekstileve, duke e parë këtë trashëgimi si një pasuri që frymëzon artin sot, por edhe si një urë për dialog kulturor ndër breza.

Ekspozita, që ka zgjuar interesin e publikut gjatë gjithë periudhës së saj, po mbyllet si një ngjarje e rëndësishme e kujtesës kulturore dhe e lidhjes mes historisë dhe artit bashkëkohor.