Në Galerinë e Arteve të Shkodrës u çel ekspozita personale e artistes nga Kosova, Liridona Gjuka Bogu. Nën titullin “On Art”, ekspozita solli për publikun 20 punime në pikturë, ku në fokus qëndron lidhja mes njeriut, artit dhe natyrës. Kjo marrëdhënie, siç theksoi vetë autorja, është një kërkim i vazhdueshëm për të shpjeguar harmoninë dhe tensionet që krijohen mes këtyre tre elementëve.
Ekspozita u kurua nga drejtori i Galerisë së Arteve, Fatmir Juka, i cili në fjalën e tij vlerësoi punën e artistes dhe theksoi se krijimet e saj hapin një qasje të re në artin bashkëkohor, duke sjellë për publikun një komunikim të drejtpërdrejtë mes figurës dhe natyrës.
Ky aktivitet, i mbështetur nga Bashkia Shkodër, u mirëprit nga të pranishmit dhe u konsiderua si një mundësi për të pasuruar jetën kulturore të qytetit me prurje të reja artistike.
