Bashkia Shkodër ka përfituar 8 milionë euro investime për sistemin arsimor parauniversitar. Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryetari i Bashkisë Shkodër, Rudin Beka, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.
Ai theksoi se vizioni i Bashkisë është jo vetëm në drejtim të investimeve, por edhe në kthimin e shkollave në qendra të forta të dijes për përgatitjen e brezit të ri. Sipas Bekës, cilësia e punimeve është e një standardi të lartë, duke e vendosur Shkodrën në pararojë të investimeve arsimore në vend.
Një nga institucionet që hap dyert këtë vit është shkolla 9-vjeçare “Ndre Mjeda”, e rikonstruktuar plotësisht. Në proces është edhe rikonstruksioni i shkollës “Kolë Idromeno”, ndërsa gjatë vitit pritet të nisë puna për shkollën 9-vjeçare “Ismail Qemali”.
