Festivali i këngës “Luleborë” këtë vit shënon edicionin e tij të 10-të, duke u rikthyer si një ndër ngjarjet më të rëndësishme muzikore të Shkodrës. Pas disa javësh të hapura për aplikime, tashmë ky proces ka përfunduar dhe interesi ka rezultuar i lartë sipas drejtueses së kulturës në Bashkinë e Shkodrës, Sara Smaja.
Ajo shton se tematika e këngëve që do të prezantohen është e larmishme, duke pasqyruar krijimtari të reja që lidhen si me motivet tradicionale, ashtu edhe me frymën moderne.
Aktualisht festivali ka hyrë në fazën e përzgjedhjes së këngëve dhe artistëve që do të marrin pjesë në skenë, ndërsa organizatorët shprehen se edicioni jubilar synon të sjellë një nivel edhe më të lartë artistik e kulturor.
