Për shkak të kushteve atmosferike, koncerti përmbyllës i edicionit të 16-të i “Shkodra Jazz Festival” u zhvendos në Sallën “Mikel Koliqi”, ku u zhvillua një mbrëmje e mbushur me tinguj e emocione. Artistët nga Rumania sollën atmosferë të veçantë për publikun shkodran, ndërsa në skenë performoi edhe mjeshtri Markelian Kapidani.
Në fjalën e tij, Kapidani theksoi se festivali nuk ka vetëm vlera artistike, por edhe edukuese për brezat e rinj.
“Iniciativa të tilla duhet të përkrahen dhe të vazhdojnë,” shprehet më tej Kapidani.
Përgjatë muajit gusht, koncertet e “Shkodra Jazz Festival” gjallëruan mjediset kulturore të qytetit, duke e kthyer Shkodrën në një qendër të rëndësishme të muzikës jazz në vendin tonë. Mbrëmjet muzikore do të transmetohen për shikuesit në rrjetin e RTSH.
