Skuadra e Vllaznisë në futboll për femra e ka mbyllur me fitore aventurën në fazën kualifikuese të Champions League. Në ndeshjen e zhvilluar këtë të shtunë në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Racing Union të Luksemburgut, kuqeblutë triumfuan me rezultatin bindës 3-1.

Golat kuqeblu u shënuan të gjithë në pjesën e parë: fillimisht Bajraktari në minutën e 26, më pas Doçi në të 28-ën dhe vetëm pak minuta më vonë Deda në të 33-ën vulosi suksesin e merituar të vajzave shkodrane. Miket nga Luksemburgu ngushtuan diferencën e golave në minutën e 84-t me Corplet.

Motivuese për vijimësinë në Europë e konsideruan këtë sukses dy nga protagonistet kuqeblu: Doçi dhe Bajraktari.

Me këtë fitore, Vllaznia pozicionohet në vendin e tretë të grupit, rezultat që i mundëson ekipit të vijojë rrugëtimin europian në “Europa Cup”, duke mbajtur gjallë shpresat për një sezon të suksesshëm ndërkombëtar.