Në mjediset e Muzeut Historik të Shkodrës u zhvillua mbrëmë një koncert i veçantë në kuadër të edicionit të 16-të të Shkodra Jazz Festival.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali dhe Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci, të cilët ndoqën nga afër atmosferën artistike. Në skenë sollën tingujt e tyre Ilaria Pilar Patassini dhe Alessandro D’Alessandro, duke sjellë emocion dhe energji pozitive tek publiku.
Në fjalën e tij, drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera, vlerësoi bashkëpunimin kulturor mes Italisë dhe Shqipërisë, ndërsa vokalistja e grupit ndau emocionet e saj për performancën në Shkodër, duke theksuar mikpritjen dhe atmosferën e ngrohtë të qytetit.
“Për Institutin Italian të Kulturës është tepër e rëndësishme mbështetja e eventeve dhe iniciativave lokale. Jemi të hapur për të bashkëpunuar gjithmonë me partnerët tanë në Shqipëri në përkrahje të festivalit dhe artit në përgjithësi. “Shkodra Jazz” është një festival i bukur dhe i larmishëm sikundër edhe kjo natë italiane në Shkodër,” u shpreh drejtori Alessandro Ruggera i Institutit Italian të Kulturës.
“Fantastike do ta konsideroja këtë mbrëmje në Shkodër. Sapo mësuam mbi festivalin dhe organizatorët u ndjemë me të vërtetë shumë mirë. Edhe qyteti na tërhoqi shumë. Më lejoni të përgëzoj publikun që nuk e pati të lehtë me repertorin tonë por nuk e kurseu mbështetjen për ne. Ky është tregues i një pune të mirë sepse nxit dëshirën e të pranishmëve për t’u njohur me këngë të reja,” thekson vokalistja Ilaria Pilar Patassini.
Koncerti i radhës i festivalit do të zhvillohet më 30 gusht në sheshin para Bashkisë Shkodër, duke vijuar traditën e netëve muzikore që e kanë kthyer qytetin në një qendër të rëndësishme të jazz-it.
