Një atmosferë e veçantë muzikore pritet të krijohet në Shirokë më 5 shtator, ku do të mbahet një koncert ndërkombëtar i konceptuar si mbrëmje Gala. Aktiviteti i organizuar nga Bashkia Shkodër, me pjesëmarrjen e Orkestrës Simfonike të Shkodrës do të sjellë pranë publikut emra të njohur të muzikës klasike, mes tyre edhe tenori i mirënjohur Saimir Pirgu, nën drejtimin e mjeshtres Elda Laro.
Në një prononcim për RTSH, Sara Smaja, Drejtore e Kulturës në Bashkinë Shkodër, theksoi rëndësinë e këtij eventi për jetën kulturore të qytetit dhe pikave turistike të tij.
Një pjesë e veçantë e koncertit do t’i dedikohet zërit të fëmijëve. Kori i Qendrës Kulturore “Kujtim Alija” do të ngjitet në skenë për të dhënë një dimension të ri artistik. Për përgatitjet flet Ermir Zoga, Përgjegjës i Artit në këtë qendër, i cili thekson emocionin dhe seriozitetin me të cilin fëmijët po e presin këtë paraqitje.
Ky koncert pritet të shndërrohet në një prej ngjarjeve më të rëndësishme të verës kulturore, duke i dhënë Shirokës një dimension të ri artistik dhe turistik.
