Me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, mbi sipërfaqen e liqenit po lëvizin çdo ditë biçikleta të veçanta që ofrojnë një mënyrë krejt ndryshe për të shijuar peizazhin. Ky mjet tradicional shkodran është rikthyer me një risi, duke u kthyer në një atraksion të veçantë për qytetarët dhe vizitorët.
Ideatori i projektit, Blerti Vejuka, arriti ta kthejë idenë e tij në realitet falë skemës së grantit për të rinjtë të Bashkisë Shkodër.
“Ky është një hap i vogël për mua, por një risi e madhe për qytetin. Jam i lumtur që Shkodra ka diçka ndryshe për turistët dhe për komunitetin”, shprehet Vejuka.
Nga ana tjetër, Stela Mardusha, Drejtoresha e Drejtorisë së Planifikimit Strategjik në Bashkinë Shkodër, thekson se projektet e mbështetura nga bashkia po japin fryte konkrete.
“Është kënaqësi të shohësh të rinjtë që sjellin ide kreative, duke pasuruar turizmin dhe jetën e qytetit”, u shpreh ajo.
Bashkia Shkodër ka paralajmëruar se do të vijojë mbështetjen për ide inovative dhe biznese të reja që nxisin zhvillimin e turizmit, promovimin e territorit dhe krijimin e shërbimeve që japin më shumë gjallëri komunitetit.
Një atraksion i ri, që bashkon traditën, sportin dhe turizmin, duke i dhuruar Shkodrës edhe një arsye më shumë për t’u vizituar!
