Skuadra e femrave të Vllaznisë ka mbyllur shumë shpejt rrugëtimin në turin kualifikues të Ligës së Kampioneve. Kampionet e Shqipërisë u mundën 2-1 në “Loro Boriçi” nga Dinamo Minsk e Bjellorusisë, duke i dhënë lamtumirën turneut që në hapin e parë.
Edhe pse gjatë merkatos së verës shkodranet kishin afruar lojtare nga Amerika e Veriut dhe e Jugut me synimin për një pjesëmarrje të suksesshme, shorti i minigrupit i vendosi përballë një kundërshtari më të fortë. Bjelloruset gjetën avantazhin në fund të pjesës së parë me Tikhomirova dhe dyfishuan në fillim të së dytës me Pilipenko. Vllaznia reagoi vonë, duke shënuar me Bajraktarin në minutën e 88, por pa mundur të ndryshojë fatin e ndeshjes.
Pas sfidës, trajneri Nikolin Leka shprehu keqardhje për eliminimin, duke theksuar se skuadra humbi kontrollin e mesfushës. Trajneri Leka nuk i kurseu kritikat edhe për arbitrimin.
Tashmë, për Vllazninë shpresa e vetme për të vijuar rrugëtimin europian është arritja e vendit të tretë për t’u kualifikuar në Europa League.
