Këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta, emocionoi publikun italian duke interpretuar këngën arbëreshe “Lule Lule” gjatë festivalit “La Notte della Taranta”.

Ky festival, i cili zhvillohet çdo vit në muajin gusht, është një nga ngjarjet më të mëdha të muzikës popullore në Itali dhe ka për qëllim të ruajë e promovojë muzikën tradicionale salentine, duke e ndërthurur atë me rryma të tjera muzikore. Aktiviteti nis në Corigliano d’Otranto dhe kulmon me koncertin e madh në Melpignano, ku marrin pjesë muzikantë të njohur kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Interpretimi i Ermal Metës u prit me duartrokitje të gjata, duke e kthyer këngën arbëreshe në një moment të veçantë të mbrëmjes, ku kultura shqiptare u ndërthur natyrshëm me traditën italiane.

Ky interpretim jo vetëm që përforcon lidhjet kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë, por tregon edhe një herë vlerën e trashëgimisë arbëreshe që vijon të mbetet gjallë në zemër të Mesdheut.