Në mjediset e Muzeut Historik të Shkodrës u zhvillua një tjetër mbrëmje e veçantë në kuadër të edicionit të 16-të të Shkodra Jazz Festival, duke sjellë pranë publikut grupin austriak “Slowklang”.

Atmosfera u mbush me tinguj të ngrohtë dhe energji pozitive, ku artistët ndanë përjetimet e tyre pas koncertit. Vokalistja e grupit shprehet se mbrëmja dhe qyteti i Shkodrës i kanë lënë mbresa të thella.

“Gjithçka na u duk e bukur, jo vetëm mbrëmja muzikore por edhe vetë qyteti i Shkodrës, të cilin po e vizitojmë për herë të parë. Na ka lënë mbresa shumë pozitive, si për mikpritjen ashtu edhe për atmosferën. Urojmë të kemi mundësinë të vijmë sërish dhe të shijojmë edhe më shumë kulturën dhe bukuritë që ky qytet ofron,” u shpreh vokalistja Amina Bouroyen.

Dy instrumentistët vlerësojnë atmosferën unike të eventit.

“Kaluam një mbrëmje shumë të këndshme dhe morëm ndjesi të ngrohta nga të pranishmit. Ambienti na dha energji pozitive dhe na frymëzoi të japim më të mirën tonë në skenë. Është kënaqësi e veçantë kur arti arrin të krijojë këtë lidhje të drejtpërdrejtë me publikun, që na mbështeti dhe na duartrokiti me shpirt,” u shpreh instrumentisti Robert Unterkofler.

“Ky koncert ishte tejet i veçantë jo vetëm për shkak të mjedisit dhe tingujve, por edhe për atmosferën që u krijua mes nesh dhe publikut. Grupi ynë e ndjeu vërtet magjinë e kësaj nate, ndaj falënderojmë të gjithë ata që na mbështetën dhe përgëzojmë organizatorët për një eveniment të tillë që na bashkoi nëpërmjet muzikës,” shprehet basisti Robin Gadermaier.

Edicioni i 16-të i “Shkodra Jazz Festival” po vijon të sjellë emocione dhe risi në jetën kulturore të qytetit, duke e kthyer Shkodrën në një pikëtakim të rëndësishëm të muzikës jazz.