Këtë 27 gusht mbushen 4 vite pa dirigjentin dhe muzikantin e njohur Kujtim Alija. Në këtë përvjetor, bashkëpunëtorët e tij kujtojnë figurën dhe gjurmët që la pas.

Drejtoresha e Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija”, Orjeta Kelaj, vë në dukje rolin e tij në edukimin e brezave të rinj. Dirigjenti Ermir Zoga ndan kujtimin e orëve të fundit të jetës së mjeshtrit.

Kujtim Alija ishte themelues i konkursit “Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë” dhe udhëhoqi festivale kombëtare e mbarëkombëtare për fëmijë. Nën drejtimin e tij, Banda Frymore e Shkodrës fitoi çmime të para në Shqipëri dhe Itali.

Për gjithë kontributin e dhënë u dekorua me Urdhërin “Naim Frashëri” dhe titullin “Mirënjohja e Qytetit”. Ai la pas një trashëgimi të çmuar kulturore.