Një tjetër rast makabër dhune ndaj kafshëve ka tronditur qytetin e Shkodrës. Në lagjen Kiras është gjetur një qen i masakruar, i futur brenda një qeseje plehrash së bashku me disa pula të ngordhura.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se kafsha kishte sulmuar pulat e një banori të zonës, i cili, në vend që të merrte masa të tjera, ka zgjedhur ta ndëshkojë në mënyrë çnjerëzore, duke e rrahur deri në agoni dhe më pas duke e hedhur në plehra.
Pamjet e ngjarjes janë tronditëse dhe dëshmojnë dhunën barbare ndaj qenit. Ai u gjet pranë kazanit të mbeturinave nga vullnetarë të organizatës “Animals Need Me”, të cilët e dërguan menjëherë në një klinikë veterinare.
Mjekët konfirmojnë se kafsha ka fraktura të shumta dhe ndodhet në gjendje kritike, ndërsa shanset për mbijetesë janë minimale.
Ky rast ngre sërish alarmin për dhunën sistematike që po ushtrohet ndaj kafshëve në Shqipëri, ku shpesh autorët mbeten të pandëshkuar. Organizata “Animals Need Me” kërkon reagim urgjent nga Policia e Shtetit dhe fton çdo qytetar që ka informacion për autorin të ndihmojë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje makabre.
Ky akt barbar është një thirrje e fortë për autoritetet që të hetojnë dhe të ndëshkojnë autorin, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më.
