Shkodra dhe mjekësia shqiptare humbën sot një nga figurat më të shquara të higjienës dhe shëndetit publik. Në moshën 85-vjeçare është ndarë nga jeta Merzuk Hoxha, mjeku higjienist që gjithë jetën ia kushtoi shërbimit ndaj njerëzve.

I lindur në Shkodër me 2 shtator të vitit 1939, Hoxha mbaroi me rezultate të shkëlqyera Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1961, duke u diplomuar si mjek i përgjithshëm. Karriera e tij u shënua nga një angazhim i pandërprerë në mbrojtjen e shëndetit të popullatës, si inspektor sanitar dhe më pas shef i Shërbimit të Higjienës dhe Inspektoratit Sanitar Shtetëror në Shkodër, detyrë që e mbajti deri në vitin 1999.

Ai u dallua veçanërisht për masat parandaluese gjatë situatave të rënda shëndetësore, si pas tërmetit të 15 prillit 1979 dhe përballja me kërcënimin e kolerës në vitin 1994, duke shmangur shpërthime epidemish në Shkodër. Po ashtu dha një kontribut të çmuar në sigurimin e ujit të pijshëm, higjienën e shkollave, çerdheve e kopshteve, si dhe në studime të shumta shkencore për zhvillimin fizik të fëmijëve e ndikimin e ndotjes në shëndet.

Për punën e tij të vyer, në vitin 1990 u dekorua nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Për shërbim të mirë ndaj popullit”. Ai ishte aktiv edhe në Kryqin e Kuq Shqiptar, ku për disa vite shërbeu si zëvendëspresident, ndërsa nga viti 2001 deri në 2013 dha mësim si pedagog i jashtëm në Universitetin “Luigj Gurakuqi”.

Merzuk Hoxha kujtohet si mjek i përkushtuar, shkencëtar me vizion dhe njeri i dashur për komunitetin, duke lënë një trashëgimi të çmuar në historinë e shëndetësisë shqiptare.