Në zonën e Dajçit u zhvillua këtë fundgusht “Buna Fest”, një aktivitet që u kthye në pikëtakim të gjallë për banorët, të rinjtë dhe turistët. Festa solli një mbrëmje ndryshe, ku u ndërthurën muzika, kultura dhe promovimi i pasurive natyrore të lumit Buna.
Organizuar nga Bashkia Shkodër në bashkëpunim me EKO Mendje dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ky aktivitet kishte për qëllim të promovonte resurset e jashtëzakonshme të zonës, duke e kthyer Dajçin në një destinacion tërheqës për turizmin kulturor dhe natyror.
Atmosfera e festës u gjallërua nga muzikë live, DJ, panair me produkte agro-ushqimore, artizanat tradicional dhe stenda me lule e pemë dekorative, veçanti të zonës.
“Buna Fest” dëshmoi potencialin e madh të Dajçit për të pritur evente të tilla, duke ofruar jo vetëm bukuri natyrore, por edhe një eksperiencë të plotë kulturore dhe argëtuese për të gjitha moshat.
