Rruga e varrezave të qytetit të Shkodrës prej disa ditësh është përfshirë në një rikonstruksion të plotë. E trajtuar si shqetësim i vazhdueshëm i banorëve, ky segment rrugor pritet të përfundojë brenda dy muajve.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, inspektoi nga afër punimet dhe theksoi se ky investim, i financuar nga buxheti i bashkisë, do t’i japë zgjidhje përfundimtare problematikës së mbartur prej vitesh, duke u lehtësuar banorëve lidhjen me rrugën kryesore.

Në të njëjtën kohë, Bashkia Shkodër po punon edhe në një segment tjetër brenda varrezave, i cili do të krijojë akses për banorët e fshatit Golem me rrugën kryesore “Pjetrushi”.

Me përfundimin e këtyre dy investimeve infrastrukturore, merr fund shqetësimi i ngritur prej 20 vitesh nga banorët, që përballeshin me gropa uji dhe mungesë infrastrukture, duke vështirësuar komunikimin dhe lëvizjen e përditshme, sidomos për fëmijët që shkonin në shkollë.