Sot, më 26 gusht, shënohet Dita Ndërkombëtare e Qenit, një festë e dedikuar mikut më të mirë të njeriut. Kjo ditë u themelua në vitin 2004 në Shtetet e Bashkuara nga aktivistja për mbrojtjen e kafshëve, Colleen Paige, dhe shumë shpejt u kthye në një ngjarje që kremtohet në mbarë botën.

Rëndësia e qenit për njeriun

Qentë nuk janë thjesht kafshë shtëpiake, por pjesë e familjes. Sipas sondazheve, 37% e pronarëve të kafshëve i konsiderojnë qentë si fëmijët e tyre. Ata ofrojnë dashuri pa kushte, shoqëri dhe ndikojnë pozitivisht në mirëqenien psikologjike e fizike të njeriut.

Heroizmi i përditshëm i qenve

Kjo ditë është gjithashtu një homazh për qentë që “punojnë” me vetëmohim: ata shpëtojnë jetë, mbrojnë pronat tona, asistojnë policinë e ushtrinë, udhëheqin personat e verbër, ndihmojnë të paaftët dhe marrin pjesë në operacione shpëtimi pas fatkeqësive natyrore apo tragjedive.

Sfida dhe mesazhi i ditës

Megjithatë, çdo vit miliona qen mbeten të braktisur apo të pastrehë për shkak të pamundësisë ose neglizhencës së pronarëve. Prandaj, Dita Ndërkombëtare e Qenit synon të inkurajojë adoptimin nga strehimoret dhe organizatat e shpëtimit, duke u dhënë një mundësi të re jetese këtyre kafshëve besnike.

Kjo ditë është një thirrje për të gjithë: të ndalemi, të falënderojmë dhe të kujdesemi më shumë për qentë shokët tanë të përjetshëm, që na dhurojnë dashuri pa kushte.