Koncerti i radhës i edicionit të XVI të “Shkodra Jazz Festival” u zhvendos në mjediset e Muzeut Historik të Shkodrës. Nata e fizarmonikave përcolli tek të pranishmit një mbrëmje muzikore të veçantë artistike. Pas dy javësh përgatitjesh intensive në masterclass, të rinjtë e formacionit sollën një program të larmishëm me repertor vendas dhe ndërkombëtar.
Koncerti u drejtua nga maestro Bardh Jakova, i cili theksoi rëndësinë e këtij bashkimi kulturor. “Pjesëmarrja e të rinjve nga disa vende i jep më shumë kuptim këtij aktiviteti, duke pasuruar jo vetëm skenën, por edhe edukimin artistik”, u shpreh ai.
Publiku pati mundësi të shijonte në këtë mbrëmje performanca të ngrohta dhe plot energji, që u shndërruan në momente emocionuese të festivalit. Mbrëmja e radhës do të sjellë në skenë “Rrok Academy Classic & Junior”, po në Muzeun Historik të Shkodrës.
