Xhamia e Plumbit është një nga monumentet më të çmuara të Shkodrës, e ndërtuar në vitin 1773 nga Mehmet Pashë Bushati. Kupola dhe minarja e saj dikur të mbuluara me plumb i dhanë emrin që mban edhe sot.

Ky monument i rrallë i arkitekturës osmane, i cili prej vitesh ka qenë i ekspozuar ndaj përmbytjeve dhe kohës, po tërheq sot gjithnjë e më shumë vizitorë vendas e të huaj pas përfundimit të punimeve për restaurimin e saj.

Vizitorët ndajnë përjetimet e tyre, duke e konsideruar xhaminë një thesar historik dhe një vend ku ndihen të lidhur me kulturën dhe identitetin e Shkodrës. Ata vlerësojnë bukurinë e veçantë të arkitekturës, atmosferën që ofron dhe mundësinë për ta njohur qytetin përtej qendrës së tij historike.

Xhamia e Plumbit, e shpallur monument kulture, është kthyer kështu në një atraksion të ri turistik për qytetin, duke pasuruar mozaikun e vendeve që vizitorët zgjedhin të eksplorojnë në Shkodër. Përveç vlerave të saj fetare e kulturore, ajo mbetet një simbol i bashkëjetesës dhe i trashëgimisë që Shkodra ka ruajtur ndër shekuj.