Edicioni i 87-të i Kategorisë Superiore startoi me një përballje të fortë mes dy skuadrave pretendente për titull, Vllaznisë dhe Egnatias, të cilat sezonin e kaluar u ndeshën në finalen e kampionatit. Këtë herë, shkodranët arritën të hakmerren duke fituar 2-0 në “Loro Boriçi”.

Golashënuesit për Vllazninë ishin Erdenis Gurishta dhe Ardit Bajrami, të cilët shfrytëzuan gabimet e mbrojtjes rrogozhinase në goditjet standarte, duke realizuar nga një gol në secilën pjesë. Megjithëse Bekim Balaj humbi një penallti në fraksionin e parë, kjo nuk i pengoi kuqeblutë të siguronin një fitore të merituar.

Ndeshja u komplikua edhe më shumë për Egnatian pas daljes me karton të kuq të Votlait, duke i lënë rrogozhinasit me një lojtar më pak dhe pa mundësi për të reaguar.

Në fund, fitorja 2-0 ishte një nisje perfekte për Vllazninë, që tregoi konkretësi dhe kërkoi më shumë se rivalët, ndërsa Egnatia duket ende në kërkim të identitetit pas largimeve të disa prej lojtarëve kryesorë të sezonit të kaluar.