Ekipi i volejbollit të djemve të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” përfaqësoi me dinjitet Shqipërinë në Kampionatin Europian të Universiteteve, i zhvilluar nga 27 korriku deri më 4 gusht 2025 në Budapest, Hungari.

Pas kthimit nga Hungaria, Rektori i UNISHK, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, priti në sallën e Senatit ekipin studentor, ku i përgëzoi për performancën dhe premtoi mbështetje të mëtejshme, përfshirë rikonstruksionin e palestrës së universitetit.

Trajneri Artan Kalaja vlerësoi përkushtimin e lojtarëve në këtë veprimtari. Lojtarët theksuan rëndësinë e kësaj eksperience sportive.

Studentët sportistë zhvilluan gjithsej 5 ndeshje, duke treguar forcë, vendosmëri dhe shpirt garues. Një nga momentet më të spikatura ishte fitorja spektakolare ndaj Universitetit të Bergenit (Norvegji), ku ekipi arriti të përmbysë rezultatin nga 0–2 në 3–2, duke dëshmuar karakter të fortë dhe unitet të lartë skuadre.