20 gushti shënon Ditën Ndërkombëtare të Maleve të Pastra, një nisëm që synon sensibilizimin për ruajtjen e ekosistemeve malore dhe mbajtjen e tyre larg ndotjes. Në Shkodër, kjo ditë merr një vlerë të veçantë falë pasurisë së Alpeve dhe potencialit të madh turistik që ato ofrojnë.
Aktivistja Nermin Shurdha, e pasionuar pas eksplorimit të maleve dhe markimit të shtigjeve, vë në dukje veçantinë e Alpeve Shqiptare. Pas këtij vlerësimi, ajo nënvizon edhe nevojën për ndërgjegjësim më të madh në ruajtjen e mjedisit.
Mijëra vizitorë tërhiqen çdo vit nga bukuritë e Alpeve Shqiptare, të cilat janë shndërruar në një prej destinacioneve më të pëlqyera të turizmit malor në rajon, duke dëshmuar se natyra e paprekur mbetet një pasuri me vlerë të jashtëzakonshme për Shqipërinë.
