Bashkia Shkodër ka ndërmarrë masa konkrete për rregullimin e aktiviteteve të agjencive funerale, një shqetësim i ngritur prej kohësh nga komuniteti për shkak të vendndodhjes së tyre pranë banesave, shkollave dhe rrugëve kryesore.

Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 15, datë 03.03.2025, të gjitha subjektet kanë afat deri më 25 shtator për t’u përshtatur me rregulloren e re. Pas kësaj date, ato që nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara do të ndalohen të ushtrojnë aktivitetin.

Në bazë të Rregullores së re nuk lejohet ushtrimi i aktivitetit në Qendrën Historike të Qytetit në rrugët Gjuhadol, Kolë Idromeno, 13 Dhjetori, 28 Nëntori dhe Hamzë Kazazi. Po ashtu nuk lejohet funksionimi në godina banimi shumëfamiljare apo në shtesat e tyre. Objekti duhet të jetë të paktën 50 metra larg nga institucionet arsimore ndërsa nuk lejohet ushtrimi i aktivitetit në ambiente të përbashkëta me subjekte të tjera. Rregullorja e re nuk lejon qëndrimin apo parkimin në hapësira publike të automjeteve funerale.

Në njoftimin e tij në Facebook, kryebashkiaku Beci falenderon në emër të institucionit subjektet që kanë treguar bashkëpunim dhe kanë nisur përshtatjen me rregullat e reja, duke theksuar se zbatimi i tyre është në interes të gjithë komunitetit.